Një mot i ftohtë intensiv ka përshkuar pjesë të Afrikës së Jugut, duke sjellë shi dhe borë dhe duke shkaktuar përmbytje.

Në Kepin Lindor, një nga provincat më të goditura, ujërat e përmbytjeve kanë detyruar shumë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe mbyllje rrugësh, sipas autoritetit provincial, raporton CNN.

Më herët të mërkurën, transmetuesi shtetëror SABC raportoi se një autobus shkolle u rrëmbye nga një lumë në fshatin Decoligny të martën në mëngjes, ndërsa ishte duke shkuar në shkollë.

Qeveria provinciale tha se 13 persona, përfshirë nxënës, shoferin e tyre dhe asistentin e tij, ishin në autobus.

“Mjerisht, katër nga këta nxënës janë konfirmuar të vdekur së bashku me shoferin dhe drejtuesin e minibusit”, tha kryeministri i Kepit Lindor Lubabalo Oscar Mabuyane, në një konferencë për shtyp të mërkurën pasdite.

Katër të tjerë mbeten të zhdukur, tha ai, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po kërkojnë ende trupa të tjerë. Zyra e presidentit të Afrikës së Jugut,  Cyril Ramaphosa, tha në një deklaratë të mëparshme se tre fëmijë u shpëtuan nga automjeti gjatë një mesazhi ngushëllimi për familjet e prekura nga fatkeqësia.

Afrika e Jugut është përballur me përmbytje viteve të fundit, disa prej të cilave kanë qenë vdekjeprurëse.

Në vitin 2022, përmbytjet e nxitura nga reshjet e dendura të shiut lanë deri në 400 të vdekur në Durban dhe provincën KwaZulu-Natal.