Shkruan: Bejtush A ISUFI
Ante Festum
Identiteti kombëtar nuk mund të ruhet pa njohur historinë
Përvjetori i madh – 150-vjetori i njërës prej ngjarjeve më të shënuara të historisë së shqiptarëve – do të shënohet më 10 qershor 2028.
Duke njohur realitetin qeverisës në tokat shqiptare, besoj se ora ka filluar të ecë shpejt drejt këtij përvjetori, edhe pse dikujt mund t’i duket se ende ka mbetur kohë e mjaftueshme.
Me këtë tekst të shkurtër, do të doja që, në cilësinë e njërit prej atyre miliona shqiptarëve, t’i drejtohem publikisht Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe kryetarit të saj, që si qytet dhe komunë nikoqire të ngrisë Këshillin e vet organizativ për shënimin e kësaj dite.
Po ashtu, Komunës dhe kryetarit të saj, z. Totaj, i bëj thirrje që, në emër të Komunës, t’i drejtohet me kërkesë kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, që në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit të themelojnë Këshillin Organizativ për shënimin e 150-vjetorit të Lidhjes Shqiptare.
Koha e mbetur është mjaft e shkurtër për të realizuar projekte të veçanta, të cilat do të duhej të zhvilloheshin në qytetin e Prizrenit, në Tiranë, Prishtinë e Shkup, apo edhe në qytete të tjera shqiptare.
Varësisht nga mosha e lexuesve, atyre më të vjetër se unë, u kujtohet nga përvoja e tyre personale, ndërsa ne të tjerëve nga libri dhe televizioni, se dy përvjetorë të tillë të mëdhenj kishin lëvizur shpirtërisht Kosovën dhe kishin frymëzuar secilin prej banorëve të saj në betejat e mëdha që u zhvilluan më vonë.
Çdo ditë pas shënimit të dy përvjetorëve të mëdhenj ishte e ndryshme nga ato para këtyre datave, por edhe sot, pas 57 vjetësh nga shënimi i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe 47 vjetësh nga shënimi i 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është e pashmangshme të mos shohim, dëgjojmë dhe lexojmë atë që u krijua si frymëzim nga shënimi i këtyre përvjetorëve – dhe kjo krijimtari jo vetëm që frymëzoi demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, por po ashtu mbeti e veçuar si thesar i veçantë në panteonin e krijimtarisë shpirtërore të kombit.