Shkruan: Florim ZEQA
Të shtunën e 21 qershorit në Bllacë të Suharekës me moton ‘Me Plis në UNESCO’ u mbajt manifestimi tradicional mbarëkombëtarë, i 12-ti më radhë, ‘DITA E PLISIT’.
Nderime Kullës legjendare të Ramë Bllacës Manifestimi filloj tek Kulla e Ramë Bllaces me një foto të përbashkët të plis bardhëve të ardhur nga të gjitha trevat etnike.
Më pas nga ballkoni i Kullës së Ramë Bllacës, rapsodi Nazmi Hajdari ua kushtoj një këngë malësie të gjithë plisbardhëve të ardhur në këtë manifestim.
Manifestimin e hapi organizatori Ismet Krasniqi-Lala, i cili fillimisht i përshëndeti të gjithë të pranishmit, i falënderoj për pjesëmarrjen dhe ju uroj ‘Ditën e Plisit’, për të vazhduar më fjalët: “Kjo kullë e Ramë Bllacës asnjëherë nuk ka pasur më shumë plisbardhë sesa sot, andaj lutem që të ketë gjithmonë plisbardhë në këto troje arbërore.
Më pas fjala ju dha profesorit Jahja Lluka i cili e mbajti një fjalë të shkurtër rasti, ku i përshëndeti të gjithë të pranishmit. Fillimisht e përshëndeti familjen e Ramë Bllacës për qëndresën heroike. E përshëndeti organizatorin Ismet Krasniqi dhe Intelektualët e Klinës për punën vlerë madhe me mbajtjen e 12 edicioneve të ‘Ditës së Plisit’, më qëllim të afirmimit të vlerave tona kombëtare dhe të dërgimit të Plisit në UNESCO.
“Kjo punë nuk është e Ismetit, por është e shtetit, por fatkeqësisht shteti e ka harruar veprimtarinë atdhetare të Ramë Bllacës dhe kullës së tij”, theksoi Jahja Lluka.
Dëshminë e harresës institucionale ndaj veprës atdhetare të Ramë Bllacës e tregon Kulla e tij, e mbetur në gjendje të mjerueshme në mëshirën e kohës pa asnjë përkujdesje shtetërore!
Pas tij, me një fjalë të shkurtër përshëndetëse prezantoj nipi i Ramë Bllacës, Afrimi: “Mirë se keni ardhur o ju plisat e bardhë në kullën e qëndresës së Ramë Bllacës dhe popullit shqiptar. Sot po shënohet ‘Dita e Plisit’ e një simboli të përjetshëm të identitetit dhe qëndresës shqiptare. Në këtë vend të shenjt, ku Ramë Bllaca u bë zë dhe mburojë kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, sot Plisi po shkëlqen si dëshmi e krenarisë sonë kombëtare, që nuk u nënshtrua as në kohërat më të renda dhe as në vështirësitë më të mëdha”.
Organizatori ‘Dita e Plisit’ për Kullën e Ramë Bllacës e ndau një mirënjohje, të cilën Jahja Lluka i ndau nipit të tij, Afrimit.
Pjesa e parë e manifestimit tek kulla legjendare u përmbyllë me një këngë për Ramë Bllacën nga Naim Kransiqi dhe Sali Bytyqi si dhe me një valle tupanë.
Më pas u bënë nderime tek lapidari i Ramë Bllacës në qendër të fshatit.
Atmosferë e zjarrtë festive të ‘Kulla e Qëndresës’
Pjesa qendrore e manifestimit ‘Dita e Plisit’ tek Kulla e Qëndresës filloj me intonimin e himnit kombëtar. Më pas organizatori Ismet Krasniqi i përshëndeti të gjithë plisbardhët e pranishëm duke ju uruar Ditën e Plisit dhe i falënderoj nikoqirët për mikpritjen e ngrohtë vëllazërore.
Me fjalë rasti prezantuan: Destan Zekolli e Muhamet Bajraktari të cilët në emër të 5 mijë banorëve të fshatit i përshëndetën të gjithë plisbardhët, pastaj kryetari i Therandës, Bali Muharremaj në emër të komunës ju uroj mirëseardhjen të pranishmëve në këtë aktivitet.
Programi artistik fillojë me valle të larmishme, të përgatitura nga nxënësit e shkollës “ Ramë Bllaca” të fshatit Bllacë nën koreografinë e Ardita Lumit.
Sadik Maxharraj Baca dhe Naim Rugova ekzekutuan për mrekulli vallen e Rugovës. Pas valltarëve dhe Grupit të Tupanave nga Peja, me një monolog prezentoj Shaban Lajçi i ardhur nga Amerika, i cili përformoj në mënyrë të shkëlqyer dhe artistike. Por, ky nuk ishte i vetmi i ardhur nga Amerika, ishte edhe Bahri Ramadani nga Kosova Lindore i ardhur enkas për këtë manifestim.
Poashtu prezent ishte edhe Shaban Fangu i sapo riatdhesuari pas 55 viteve nga Australia, i cili ka ardhur për të jetuar në Kosovë.
Me kumtesa u paraqiten, Prof. Prend Buzhala, penë e artë e krijimtarisë letrare, kushtuar Ditës së Plisit.
Pastaj me nga një fjalë rasti prezantuan krijuesit letrar Jahja Lluka dhe Naxhije Doçi. Ndërsa Bedri Tahiri recensent bëri një vlersim për librin “Dita e Plisit”edicioni XI, vëllimi XI.
Pas përfundimit të pjesës artistike radha i erdhi shtrimit të Sofres Dardane në Kullën e Qëndresës, të përgatitur me ushqime të shijshme tradicionale nga nënat dhe motrat bllaciane.
Gjatë drekës nuk munguan as pikat muzikore dhe në përfundim të këtij manifestimi në Kullën e Qëndresës, organizatori i ndau edhe disa mirënjohje për ata që kanë kontribuar në promovimin e vlerave kombëtare, si: Mark Berisha (pleqnarë), i cili sot e kishte edhe 88 vjetorin e lindjes, Rrahman Lajçi, Hasan Shaban Iballi, Shaban Fangu, Desatn Zekollit për Kullën e Qëndresës, Naim Krasniqi, Halil Krasniqi, Rasim Beqa, Shaban Lajçi, dhe Sali Bytyqi.
Lënja në harresë të plotë nga shteti e Kullës së Ramë Bllacës nga të gjitha qeveritë e deritanishme është
papërgjegjësi e lartë shtetërore. Këtë e dëshmon gjendja mjeruese e kësaj shtëpie të qëndresës popullore në këto troje.
Falënderim për Lena Graphic me pronar Hajdar Fejzullahu pë shtypjen e bexhave e panove si dhe për ndihmë në botimin e librit “Dita e Plisit”.
Po ashtu, duhet përshëndetur edhe kontributin e Klina Info dhe Studio 4K Diaspora nga Zvicra për mbulimin e kësaj ngjarje krejtësisht në baza vullnetare.
Do të mbetej i mangët ky shkrim pa i përmendur anëtarët e Grupit të Tupanëve: Sherif Zabelaj, Driton Bujupi, Petrit Gashi dhe Fatjon Bujupi.
Krejt në fund, duhet përshëndetur organizatorët e këtij manifestimi tradicional-Intelektualët e Klinës në krye me artistin e madh, Prof. Ismet Krasniqi-Lala, i cili, edhe pse në moshë të shtyrë, me vullnetin e madh dhe përkushtimin ndaj vlerave kombëtare, është kthyer në sinonim dashurie për vendin dhe kombin për gjeneratat e reja.
Lales i dëshirojmë ta ketë shëndetin dhe për shumë dekada t’na bashkoj në ‘Ditën e Plisit’ si dhe t’na dhuroj kënaqësi shpirtërore me vlerat e tij artistike.
P.S: Këshilli Organizativ Qendror ‘Dita e Plisit’ ishte në këtë përbërje: Ismet Krasniqi nismtar i manifestimit, Prend Buzhala, Idriz Berisha, Gjon Gjergjaj, Alban Gashi e Fazli Ferati. Kurse Këshilli Lokal në këtë përbërje: Destan Zekolli, Muhamet Bajraktari, Afrim Bllaca dhe Murtez Zekolli.
Ndërsa koordinator mes dy Këshillave Organizative ishin Nuhi Bytyqi dhe Bajram H. Bytyqi.
Fotografitë u realizuan nga Alban Gashi.