Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se nesër do t’i drejtohen Gjykatës Themelore në Prishtinë nga e cila thonë se do të kërkojnë pezullimin e vendimit të ZRRE-së për kalimin në treg të lirë energjetik të 1300 kompanive kosovare.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se do të kërkojnë masë të përkohshme në mënyrë që ky vendim, siç tha ai, të pezullohet dhe kompanitë të furnizohen me çmimin e njëjtë të energjisë, siç janë furnizuar para marrjes së këtij vendimi.
“Nuk janë përmbushur kushtet, nuk janë përmbushur as obligimet e ZRRE-së për dalje në treg të lirë të këtyre 1300 kompanive, ka shumë parregullsi në marrjen e këtij vendimi. Andaj, ne si PDK do të procedojmë në Gjykatën Themelore këtë vendim dhe jemi të bindur, do ta argumentojmë mjaftueshëm që të ketë një masë të përkohshme”, tha Tahiri, para gazetarëve në Kuvendin e Kosovës pas dështimit të përpjekjes së 36 për t’u konstituuar legjislativi.
Ai ka thënë se bllokada po vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Pavarësisht asaj që ne si PDK i kemi dhënë mundësi që ta gjejë një kompromis që dikush nga grupi i tyre, përpos atyre që kanë shërbyer si ministra në qeverinë Kurti, por po hasë në vesh të shurdhër dhe LVV-ja ka vendosur të mbajë të bllokuar Kuvendin”, tha Tahiri.