Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi, me të cilin pretendohej se rasti kundër administrimit të drejtësisë ishte dashur që të iniciohet nga trupi gjykues në rastin për krime lufte.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake hodhi poshtë mocionin paraprak të dorëzuar nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, që ngre kundërshtime lidhur me juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Gjykatësi konstatoi se çështjet e ngritura nuk përbënin kundërshtime juridiksionale dhe hodhi poshtë të dy argumentet e Mbrojtjes: se procedurat duhej të ishin nisur nga Trupi Gjykues II dhe se caktimi i Gjykatësit të Procedurës Paraprake ishte në shkelje të Ligjit”, njofton Specialja.