Organizatat e shoqërisë civile janë duke protestuar para Kuvendit të Kosovës, në shenjë revolte për ngërçin aktual politikë në vend.
Ata apo e bëjnë këtë në prag të nisjes së seancës së Kuvendit në përpjekjen e 37-të për konstituimin e legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Kur t’ju bëhet boll, kallxoni”, “Deputetë, emri juaj është bllokadë” e “Karriget janë për punë, jo për pushtet” janë disa nga mbishkrimet e tyre.
Eugen Cakolli nga IKD tha se deputetët me një papërgjegjësi po e trajtojnë situatën sikur të jetë diçka normale.
“Kuvendi është shndërruar në një cirk të demokracisë, e cila po vazhdon shfaqjen e njëjtë, ku çdo 48 orë deputetët mblidhen për disa minuta punë. Ndonëse po shohim që pagat po ju ecin, puna e tyre nga momenti kur është duke u tentuar të konstituohet Kuvendi, mezi i arrin dy orë të plota efektive pune”, ka thënë ai.
Në anën tjetër ata paralajmëruan që do të protestojnë sa herë që të ketë përpjekje për konstituim.
“Ky do të jetë aksioni i vazhdueshëm nga sot e tutje në çdo të dytën ditë, siç do të vijnë deputetët në Kuvend, edhe ne do të jemi këtu për të kundërshtuar bllokadën politike të krijuar nga deputetët dhe partitë politike”, tha njëra nga pjesëtaret e shoqërisë civile.