Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka fajësuar partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë për dështimin e 37-të të konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se ata po e bllokojnë procesin pasi nuk po marrin pjesë fare në votim.
“Me mungesën e vullnetit për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, opozita po e zgjat mandatin e Qeverisë Kurti. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të fillojnë afatet për zgjedhjen e qeverisë. Gjatë kësaj kohe, në vend që të kemi përpjekje nga opozita dhe kryetarët e tyre që ta konstituojnë Kuvendin, siç kemi parë edhe sot, ata vijnë dhe nuk marrin pjesë fare në votim. Nuk ka kuptim të vish në seancë, që 29 herë prej kur ka filluar propozimi i kryesuesit të seancës për votimin e fshehtë, dhe të mos votojnë as për, as kundër, as abstenim”, tha ajo.
Ajo tha se janë duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se do ta respektojnë atë.
Haxhiu ka thënë se janë takuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe kanë ndarë me ta pozicionin e tyre politikë.