Shkruan: Rasim SMAJLAJ
Në historinë tonë të re, nuk ka më të lartë se fjala e atyre që i dolën përballë kohës me guxim, vizion dhe vetëflijim. Ata që nuk e deshën pushtetin për vete, por shtetin për të gjithë. Sot, në rrëmujën politike ku zëri i popullit shpesh mbetet peng i ambicieve të liderëve, është koha t’u rikthehemi fjalëve të atyre që nuk folën për pushtet, por për liri.
Ibrahim Rugova – urtësia e një populli që nuk u përkul
Presidenti historik i Kosovës, njeriu i rezistencës paqësore dhe i vizionit europian, na la trashëgimi një politikë që vinte mbi të gjitha: dinjitetin e popullit shqiptar.
“Ne jemi popull paqedashës, por kemi të drejtën e plotë për t’u mbrojtur dhe për të jetuar të lirë në vendin tonë.”
Në kohën më të errët, ai zgjodhi të mos hakmerrej, por të bashkonte. Nuk e shante opozitën, nuk e përbuzte kundërshtarin. Ai e dinte se populli është më i madh se çdo parti.
Adem Jashari – pushka që zgjoi ndërgjegjen kombëtare
Komandanti legjendar i UÇK-së, simboli i sakrificës së familjes Jashari, nuk la pas fjalë politike, por la një mesazh më të fuqishëm: veprën.
Thuhet se ai u kishte thënë bashkëluftëtarëve: “Nëse dorëzohemi sot, nuk do të na falë historia.”
Ai nuk luftoi për të pasur poste, por për të na treguar se liria nuk jepet, fitohet. Dhe fitohet me unitet, jo me ndarje.
Luan e Shkëlzen Haradinaj – të parët në rresht
Djemt nga Gllogjani që dhanë gjithçka për një ideal të pastër. Luan Haradinaj, ideolog i hershëm i UÇK-së.
Në letrën e fundit që i kishte lënë familjes, Luan Haradinaj shkruante:
“Nëse bie unë, mos më qani shumë – do të thotë se kam rënë për atë që kam besuar.”
Agim Ramadani e Zahir Pajaziti – strategët dhe pararendësit e lirisë
Agim Ramadani, “Katana”, simbol i kthesës strategjike në luftë. Në ditarin e tij, shkruante:
“Për çdo gur të Kosovës jemi gati të japim jetën, sepse ajo nuk është tokë për shitje, as për pazare.”
Zahir Pajaziti, një nga themeluesit e UÇK-së, bashkë me Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahun. Me vendosmërinë dhe organizimin e tij, ai e ktheu rezistencën nga simbol në realitet.
Njëherë kishte thënë: “Nuk ka më kthim prapa. Liria do të vijë me gjak, e ne jemi gati ta japim.”
E sotmja – kur idealet zëvendësohen me interesa
Ata që luftuan për Kosovën, na lanë trashëgimi fjalën e tyre, gjakun dhe betimin: Mos e harroni pse u nisëm.
Por çfarë po bëjnë sot politikanët? A po ndërtojnë shtet me besim, apo po ndërtojnë pushtet me hakmarrje?
Kuvendi i Kosovës është kthyer në arenë përbuzjeje. Në vend të ligjeve, dëgjojmë akuza. Në vend të bashkëpunimit, hasmëri. Çdo ditë që kalon pa institucione, pa një Kuvend funksional, pa dialog qytetar – është një ditë që e largon Kosovën nga idealet e atyre që ranë.
Pyetja mbetet: A po i nderoni, apo i përdorni?
Ata na thanë çfarë të bëjmë.
Na e thanë me fjalë, me gjak e me vepra.
Po juve, si ju than?
Çfarë po dëgjoni? Dhe më rëndësishmja: a po bëni atë që ju thanë?
-vazhdon…