Pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, subjekt që e deponoi kërkesën në kushtetuese për interpretim, u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që ta zbatojnë vendimin e t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj, menjëherë pasi doli vendimi i Kushtetueses, tha se në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve, rast ky sipas Haradinajt, i padëgjuar për botën demokratike, kërkuan rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Nuk e kemi bërë për interesa partiake, por për interes të vendit dhe të zbatimit të vullnetit të shprehur me votë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2025. Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje e as në kauzë politike. Prej ditës që e kemi dorëzuar kërkesën tonë në Gjykatë, më 12 maj 2025, nuk kemi bërë asnjë komunikim publik për epilogun eventual të saj, gjithnjë duke mos dashur të interferojmë në vendimin e Gjykatës”, shkroi ndër të tjera ai pas publikimit të aktgjykimit.
Kreu i AAK-së tha se, nuk mund të mos shprehen të lehtësuar që kërkesa e tyre për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është pranuar, vendim i cili, sipas tij, krijon bazë ligjore për të dalë nga ngërçi.
“Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka shkruar kryetari i AAK-së, Haradinaj.
AAK-ja më 12 maj kishte deponuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim lidhur me ndryshimin e formës së votimit në Kuvend nga ai i hapur në të fshehtë.
Ndërkohë, nesër deputetët do të mblidhen për të 38-ën herë për të konstituuar institucionin më të lartë ligjvënës, që doli si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit.