Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri pas ndërprerjes së vazhdimit të 38-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, LVV ka abuzuar me rregulla parlamentare.
Sipas tij, zgjidhja është kthimi në votim të hapur pasi sipas tij, këtë frymë e përfaqëson edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese ka shënuar një momentum të ri, në të cilën i bëjmë thirrje LVV-së që të reflektojë mbi sjelljen e saj në Kuvendin e Kosovës sa i përket konstituimit. Tashmë është e qartë që gjatë kësaj periudhe, në një mënyrë apo tjetër, është abuzuar me rregullat parlamentare nga kryesuesi i kësaj seance, duka na imponuar vendimin në mënyrë të jashtëligjshme për komisionin për votim të fshehtë”, ka thënë ai.
“Ne jemi në seancë konstituive ku rendi i ditës është i sqaruar me prezicitet në nenin 8 të rregullores së Kuvendit të Kosovës. Rendi i ditës dhe mënyra e votimit mund të ndërrohet vetëm në seanca plenare, që nuk është rasti me këtë seancë. Në këtë mënyrë duke ndërruar rendin e ditës, kryesuesi i Kuvendit ka shkelur Kushtetutën”, ka thënë në anën tjetër, Përparim Gruda nga po kjo parti.
I pyetur nëse PDK do t’i përgjigjet pozitivisht takimit të ftuar nga Kurti, Gruda ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi në këtë takim.
“Kryetari ynë, z. Krasniqi e përfaqëson partinë në takim dhe qëndrimet që dalin pas atij takimi i shpreh kryetari”, tha ai, duke shtuar se ky takim i ftuar nga lideri i VV-së “nuk është kompromis politik”.