Serbia po ndalon eksportet e municioneve pas një vendimi të Presidentit Aleksandar Vuçiç, mes problemeve me eksportet drejt Izraelit dhe dyshimeve të Moskës se municionet e prodhuara në Serbi kanë gjetur rrugën për në Ukrainë.
“Ne kemi pezulluar fjalë për fjalë gjithçka dhe po furnizojmë [vetëm] ushtrinë tonë”, tha Vuçiç kohët e fundit pasi gazetarët pyetën nëse Serbia kishte zgjedhur një anë në konfliktin Izrael-Iran duke eksportuar municione në Izrael.
Vuçiç u tha gazetarëve pas një takimi me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe se eksportimi i armëve në Izrael pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ishte “një gjë”, por sot “kemi një situatë tjetër”.
Disa orë pas komenteve të Vuçiçit, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se çdo eksport i ardhshëm i armëve të prodhuara në Serbi do të kërkonte pëlqimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe lejen nga organet e tjera përkatëse.
Serbia është përballur gjithashtu me presion nga Moska, e cila kohët e fundit kritikoi qëndrimin e Beogradit mbi eksportet e armëve. Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë (SVR) e ka akuzuar Serbinë për eksportimin e armëve në Ukrainë nëpërmjet vendeve të treta.
“Municionet e prodhuara në uzinat serbe të mbrojtjes, kryesisht për sisteme të rënda me rreze të gjatë veprimi, dërgohen në vendet e NATO-s në interes të Ukrainës në formën e kompleteve të pjesëve për montim”, tha SVR në një deklaratë më 23 qershor. “Kjo i lejon Kievit të marrë zyrtarisht produkte ushtarake që nuk janë më serbe, por janë montuar në fabrikat e armëve në vendet perëndimore.”
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të konfirmuar ose mohuar pretendimet e SVR-së, të cilat nuk janë adresuar nga Vuçiç ose zyrtarë të tjerë serbë.
Sipas SVR-së, eksporti i municioneve serbe në Ukrainë ka çuar në një përshkallëzim të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Moskës. “Është për të ardhur keq që traditat e miqësisë dhe ndihmës së ndërsjellë po shkelen nga etja për fitim dhe multivektorizmi frikacak”, thuhet në deklaratën e SVR-së. Ajo gjithashtu pohoi se montimi dhe ngarkimi i municioneve të prodhuara në Serbi “kryhet kryesisht në Republikën Çeke dhe Bullgari”.
As ministria e jashtme çeke dhe as ajo bullgare nuk ishin në gjendje të komentonin mbi akuzat ruse pas pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.
Kompania ushtarake bullgare EMCO Ltd., e listuar nga inteligjenca ruse si një nga kompanitë të cilave Serbia u furnizon municione për dërgesa të mëtejshme në Ukrainë, i mohoi me forcë këto pretendime në një koment për ne, duke i quajtur ato “të pabaza”. “Ne deklarojmë se kjo nuk është e vërtetë. EMCO nuk ka eksportuar asnjë material në Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës për rreth 10 vjet”, tha kompania.
Që nga viti 2022, Vuçiç ka qenë nën presion nga Brukseli dhe Uashingtoni për të vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të saj të paprecedentë në shkallë të plotë të Ukrainës. Në maj, udhëheqësi serb bëri vizitën e tij të parë në Moskë që nga fillimi i agresionit në shkallë të plotë dhe u takua me Presidentin rus Vladimir Putin.
Kjo ka shkaktuar shqetësim në Bruksel. Më 8 maj, Komisioni Evropian e këshilloi Vuçiçin të “përmbahet nga legjitimimi i agresionit të Putinit kundër Ukrainës”.
Në qershor, Vuçiç mori lëvdata për mbështetjen e tij nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Odessa, ku u takuan në kuadër të samitit Ukrainë-Evropë Juglindore.
Qëndrimi zyrtar i Serbisë është se ajo “respekton plotësisht” integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Megjithatë, Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës, pavarësisht se është një vend kandidat për anëtarësim në BE.
Raportet e medias rreth eksportit të municioneve nga Serbia në Ukrainë, të cilat Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë të lartë serbë i mohojnë, po shfaqen gjithnjë e më shpesh. Në qershor 2024, Financial Times raportoi se që nga viti 2022, vëllimi i eksporteve të municioneve serbe në Ukrainë nëpërmjet vendeve të treta arriti në rreth 800 milionë euro.
Duke komentuar mbi këto vlerësime, Vuçiç tha se eksportet e armëve janë “pjesë e ringjalljes ekonomike të Serbisë dhe janë të rëndësishme për ne”. “Po, ne eksportojmë municionet tona”, tha ai për Financial Times . “Nuk mund t’i eksportojmë ato në Ukrainë apo Rusi… por kemi pasur shumë kontrata me amerikanët, spanjollët, çekët dhe të tjerë. Ajo që bëjnë ata me to në fund të fundit është puna e tyre”.
Nuk ka informacion të disponueshëm publikisht se çfarë armësh dhe pajisjesh ushtarake dhe në çfarë sasish furnizon Serbia Ukrainën, Izraelin dhe vendet e tjera, pasi vitet e fundit ministria përkatëse nuk ka publikuar raporte vjetore mbi lejet e eksportit të lëshuara në faqen e saj të internetit.