Përveç Prishtinës, mbrëmja muzikore dedikuar bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarushës, do të jehojë edhe në Pejë e Mitrovicë.
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj, sivjet koncertin-homazh do ta bëjë të qasshëm për një publik më të gjerë se vetëm stacionimit në kryeqendër.
“Këtë verë, ky koncert-homazh udhëton për herë të parë në Pejë dhe Mitrovicë, si pjesë e përpjekjes për ta sjellë kulturën më afër njerëzve, kudo që janë, jo vetëm në qendrat kryesore, por edhe në qytetet që shpesh mbesin jashtë hartës së ngjarjeve të mëdha artistike”, thuhet në njoftim.
Në nder të Pagarushës, në skenë do të ngjiten: Edona Reshitaj, Adhurim Grezda, Gala El Hadidi, ARBËRESHË, të shoqëruar nga Gent Rushi Group.
Koncerti në Prishtinë mbahet më 23 korrik, në Pejë më 24 korrik dhe përmbyllet në Mitrovicë me 25 korrik.
Sivjet edicioni i pestë organizohet me moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” – një thirrje frymëzuese për të kapërcyer barrierat dhe për të shpalosur fuqinë transformuese të artit.