Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka njoftuar se i bashkohet projektit të ri trevjeçar “Kujtesa e masakrave në Kosovë: dokumentimi i kujtesës së të mbijetuarve të masakrave gjatë luftës 1998–1999”, në bashkëpunim me IKKL, Institutin e Antropologjisë të UP-së dhe Muzeun Kombëtar.
Ky institucion nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ka bërë me dije se ky projekt, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të dokumentojë përmes 1000 intervistave audio dhe video kujtimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të 10 prej masakrave më të rënda të luftës në Kosovë.
“Si institucion që ruan dhe promovon kujtesën kulturore dhe historike të vendit, angazhohemi që kjo iniciativë të shërbejë si dëshmi e së vërtetës, një hap drejt drejtësisë dhe një mbështetje për kujtesën kolektive të brezave që vijnë. Masakrat e përzgjedhura për këtë projekt janë: 1. Masakra e Mejës (27 prill, 1999); 2. Masakra e Makocit (21 prill 1999); 3. Masakra e Poklekut (17 prill 1999); 4. Masakra e Qyshkut (14 maj 1999); 5. Masakra e Lubeniqit (25 maj 1998 dhe 1 prill 1999); 6. Masakra e Krushës së Vogël (25-27 mars 1999); 7. Masakra e Reçakut (15 janar 1999); 8. Masakra e Suharekës (26 mars 1999); 9. Masakra e Studimes (2-3 maj 1999); 10. Masakra e Sllovisë (15-16 prill 1999)”, thuhet në njoftim.