Nezir Kraki nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pas dështimit të 41-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se votimi i fshehtë të cilën po e kundërshtojnë partitë e deritanishme opozitare, është çështje teknike.
Ai ka shtuar se kalimi nga votimi i hapur në të fshehtë nuk përbën ndryshim të rendit të ditës.
“Kur një gjuhë thuhet në një vendim të formës së prerë, nuk mund ta interpretosh në disa forma. Paragrafi 141 e ka theksuar atë që është thënë në vitin 2014, që deputetët duhet të jenë në sallë, të marrin pjesë në votim pro kundër ose abstenim”, ka thënë ai, duke aluduar te gjuha e aktgjykimit të Kushtetueses.
“Komisioni është teknikalitet që e mundëson votimin e fshehtë. Gjykata Kushtetuese e ka specifikuar që duhet të marrin pjesë në votim. Refuzimi për të marrë pjesë në votim është shkelje flagrante”, ka thënë Kraki.
Për herë të 41-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në votimin për Komisionin për votim të fshehtë nga deputetët 99 sa ishin në sallë, 54 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka obliguar Kuvendin e ri që të konstituohet brenda 30 ditëve nga mbledhja e tij e parë. Megjithatë, që nga publikimi i këtij vendimi më 26 qershor, partitë nuk kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e situatës.