Policia e Kosovës ka raportuar një numër të konsiderueshëm të rasteve të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit në disa komuna të vendit, përfshirë edhe një rast të shoqëruar me armëmbajtje pa leje.
Në Podujevë, një mashkull kosovar dhe një femër shtetase e huaj janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit pas një konflikti fizik mes tyre. Pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe intervistimit, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë, një mashkull kosovar është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë nën ndikimin e substancave narkotike. Ai është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.
Në Ferizaj, një tjetër i dyshuar është arrestuar pasi kishte sulmuar fizikisht një femër kosovare nën ndikimin e alkoolit. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Raste të tjera të dhunës kanë ndodhur edhe në Klinë, Pejë, Rahovec dhe Gjakovë.
Në Klinë, një çift kosovar është përleshur fizikisht pas një mosmarrëveshjeje dhe janë dërguar për ekzaminim neuropsikiatrik.
Në Pejë, një grua kosovare ka raportuar se është sulmuar nga një tjetër femër, e cila pas arrestimit është liruar në procedurë të rregullt.
Në Rahovec dhe Gjakovë, në dy raste të ndara, persona të dyshuar kanë ushtruar dhunë ndaj viktimave femra, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Një rast i veçantë është shënuar në Malishevë, ku pas raportimit për dhunë në familje, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu pa fishekë, një pistoletë dhe dy karikatorë të zbrazët. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.