Ngjarja ndodhi rreth orës 03:40 të mëngjesit, kur, sipas policisë, një konflikt verbal mes disa personave eskaloi në dhunë fizike me përdorim të armës së zjarrit dhe një thike.

Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj thuhet se pas marrjes së informacionit për një rrahje në progres, njësitet policore ndërhynë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe shoqëruan të dyshuarit në stacionin policor. Hetuesit kanë siguruar deklarata të dëshmitarëve, pamje nga kamerat e sigurisë dhe prova materiale që konfirmojnë përfshirjen e katër personave në incident.

“Sipas hetimeve fillestare, pas një mosmarrëveshjeje verbale, katër persona janë përfshirë në përleshje fizike me grushte dhe karrige. Gjatë incidentit, njëri nga ta ka nxjerrë një armë zjarri nga brezi, ndërsa është përdorur edhe një thikë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar një armë zjarri me 14 fishekë dhe një thikë e përdorur gjatë përleshjes.

Të arrestuarit janë identifikuar si: A.I. (M/K), 48 vjeç, B.A. (M/K), 45 vjeç, F.S. (M/K), 28 vjeç dhe A.I. (M/K), 27 vjeç.

Të njëjtit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë. Ndaj tyre është iniciuar rasti penal “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.

Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar në kuadër të hetimeve të mëtejme.