Shkruan: Rasim SMAJLAJ
Një analizë mbi rrënjët e vetëshkatërrimit shqiptar nga Bllaca te politika e sotme
Në historinë e popullit shqiptar, përballë çdo epoke krenarie, qëndron një faqe e errët: ajo e tradhtisë. E nëse dikur tradhtia vishej me plis e behej haptazi për një çiflig më shumë, sot ajo fshehet pas laptopësh, kontratash sekrete, profileve anonime dhe mikrofonash të fshehur. Një dokumentar i fundit në te Ermal Pandurin riktheu në kujtesë një nga faqet më të errëta të pasluftës – rasti i famëkeq i laptopit të Bllacës, ku dëshmitë, fotot e ushtarëve të UÇK-së, e planet e veprimit, përfunduan në duart e armikut përmes duarve të shqiptarit.
Po si arrin shqiptari të bëhet tradhtar i vetvetes?
1. Kur inati bëhet më i fortë se kombi
Ka një thënie të urtë thitë:
“Minati tem re, dekt tem bir!”
Përkthimi brutal i kësaj urtie është: “për inat të babës, i djeg shtëpinë vetes.”
Kjo është psikologjia e atij shqiptari që për hatër të inatit me një vëlla, një komandant, një bashkëfshatar, përfundon duke i shërbyer armikut. Nuk është çështje bindjeje politike apo dallimi ideologjik – është hakmarrje, mllef dhe ego e papërtypur që kalon në autoshkatërrim.
2. Tradhtia si mjet karriere
Në regjimet e kaluara, sidomos gjatë Jugosllavisë, bashkëpunimi me UDB-në ka qenë “rrugë e shkurtë” për të bërë karrierë. Ata që nuk kishin as dije, as dinjitet, gjenin një derë te sigurimi i shtetit për të u ngjitur në hierarki. Sot, e njëjta mendësi gjallon – me servilizëm, me shitje informacionesh, me spiunime që duken si “raporte profesionale” apo “analiza strategjike”.
3. Shqiptari që urren shqiptarët tjerë
Gojdhënat janë të shumta, madje edhe dokumente të luftës e pasluftës e vërtetojnë se disa nga atentatet, dekonspirimet, arrestimet dhe madje edhe vrasjet më të mëdha ndaj shqiptarëve janë bërë me dorën e vet shqiptarëve. Jo nga dashuria për armikun, por nga urrejtja për vëllain.
Siç thoshte dikur një veteran:
“UÇK-në nuk e dekonspiroi serbi, por shqiptari që nuk mund ta duronte që një shok fëmijërie u bë komandant.”
4. Sot, politika e pa ndërgjegje vazhdon të njëjtën rrugë
Kur e sheh se politikani shqiptar sot bën aleanca me çdo kush për të rrëzuar një tjetër shqiptar, kur vota e qytetarit bëhet plaçkë për interesa klanore, ku “kundërshtari” shihet si armik më i madh se pushtuesi, e ku patriotizmi trajtohet si sëmundje – atëherë e kupton se tradhtia është bërë sistem.
Tradhtari nuk lind – bëhet, në momentin që zë vend në zemër urrejtja ndaj vëllait, më shumë sesa dashuria për kombin. Historia jonë është e mbushur me heronj të rënë për liri, por edhe me individë që i shitën ata për pesë pare më shumë, për një pozitë, për një inat. Derisa nuk fillojmë të çmojmë njëri-tjetrin dhe të luftojmë për të vërtetën e jo për ego, tradhtari nuk do të jetë përjashtim – por fytyra jonë e dytë.