Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për një sërë vjedhjesh të rënda në qytetin e Gjakovës dhe fshatrat përreth, pas një serie hetimesh intensive të udhëhequra nga Stacioni Policor në Gjakovë në bashkëpunim të ngushtë me prokurorin kompetent.
Sipas njoftimit, i dyshuari, shtetas i Shqipërisë me inicialet R.M., është ndaluar në orët e para të mëngjesit në fshatin Planqor. Ai dyshohet për përfshirje në 17 raste të vjedhjeve të shtëpive, kryesisht të pabanuara, pronarët e të cilave jetojnë jashtë vendit.
Gjatë arrestimit, policia ka bërë të ditur se sekuestruar një çantë me mjete të forta të dyshuara për përdorim në vjedhje, dy telefona celularë, një thikë dhe disa sende të tjera që mund të lidhen me rastet penale.
“I dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit, ndërsa hetimet për grumbullimin e provave të tjera po vazhdojnë”, thuhet në njoftim .
Policia e Kosovës, përmes Stacionit Policor në Gjakovë, thotë se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale dhe në rritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët.