Agjencitë evropiane të sigurisë, Europol dhe Eurojust, njoftuan se kanë çmontuar rrjetin e hakerëve pro-rus NoName057(16), të dyshuar për një sërë sulmesh kibernetike ndaj Ukrainës dhe aleatëve të saj, duke goditur infrastrukturën kritike në BE.

 

Operacioni ndërkombëtar i zhvilluar më 15 korrik përfshiu 12 shtete dhe çoi në çmontimin e një botneti global, që përdorej për sulme DDoS ndaj institucioneve publike dhe kompanive energjetike e të transportit.

Autoritetet arrestuan dy persona, një në Francë dhe një tjetër në Spanjë, ndërsa Gjermania lëshoi gjashtë urdhër-arreste ndaj të dyshuarve rusë, dy prej të cilëve konsiderohen organizatorët kryesorë.

Grupi kibernetik, që mbështet publikisht Rusinë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka sulmuar gjatë ngjarjeve të rëndësishme politike në Evropë. Vetëm në Gjermani janë regjistruar 14 sulme që prekën rreth 230 organizata.

Sulme të ngjashme u regjistruan në Suedi, ku në shënjestër ishin faqet zyrtare dhe bankat, në Zvicër gjatë Samitit të Paqes në qershor, si dhe në Holandë gjatë samitit të NATO-s.

Autoritetet evropiane vijojnë hetimet dhe kanë paralajmëruar se sulmet kibernetike të sponsorizuara nga shtetet janë një kërcënim në rritje për sigurinë dhe demokracinë në Evropë.