Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se kryetari Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar lidhur me gjendjen e fundit në vend pas vendimit për shfuqizimin e Udhëzimin Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale.
“Kryetari Rexhepi theksoi vendosmërinë e Gjykatës që drejton dhe të gjithë sistemit të drejtësisë, për të vazhduar punën, pavarësisht sulmeve e tendencave nga Qeveria në detyrë për të dëmtuar imazhin e gjyqësorit dhe për të penguar funksionimin e pavarur të saj, duke shtuar se institucionet shtetërore janë të obliguara të zbatojnë vendimet gjyqësore, si kusht për funksionimin e shtetit ligjor”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
“Ndërkaq shefi i EULEX-it, Pietro Barbano, duke dënuar sulmet e fundit, potencoi se e mbështesin fuqishëm Gjykatën Supreme derisa sulmet e Qeverisë në detyrë i cilësoi të papranueshme. Sipas tij, etiketimi dhe atakimi i gjyqtarëve me emra, duke i vendosur ata në rrezik nga ndonjë sulm i mundshëm, është i pa-tolerueshëm dhe i papranueshëm”, theksohet tutje.
Në njoftimin e Supremes, thuhet se Rexhepi e vlerësoi mbështetjen e EULEX dhe të Zyrës së BE-së në Kosovë, dhe sqaroi se me Këshillin Gjyqësor po punojnë që gjyqësori të jetë i pavarur dhe të ushtrojë funksionet e tij kushtetuese e ligjore.