Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fund të mandatit të tyre, po i bëjnë përpjekjet e fundit dëshpëruese.

 

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se Kurti po i mban institucionet të bllokuara derisa po i shmanget drejtësisë, ndërsa për Osmanin tha se po përpiqet të gjejë “viktimën e radhës” për të mashtruar edhe për një mandat.

“Dy krerët e shtetit, kryeministri dhe presidentja, tanimë kanë hyrë në historinë politike të Kosovës si mashtrues të elektoratit dhe dëmtues të shtetit të Kosovës. Në përmbyllje të mandatit të tyre pesëvjeçar në krye të shtetit, po bëjnë përpjekjet e fundit dëshpëruese… Skena politike është pa ide, angazhim dhe guxim për të ofruar zgjidhje.”, shkruan pos tjerash Hoti.

Komentet e Hotit vijnë pas deklaratave të djeshme të presidentes Osmani, e cila në një konferencë për media e quajti ish-kryeministrin Avdullah Hoti njeriun më jorelevant.