Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së u bëjnë thirrje të gjitha partive politike, veçanërisht partisë së parë, që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për konstituimin e institucioneve.
OVL, SHIL dhe SHFD, si kategori të dala nga lufta e UÇK-së kanë thënë se po e ndjekin me shqetësim të madh ngërçin e krijuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Kjo situatë e krijuar së fundmi, ku janë bërë 48 tentime për konstituim, tregon qartë se partitë politike nuk kanë vullnet të sinqertë për të gjetur një zgjidhje dhe për të dalë nga ky bllokim institucional. OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së u bën thirrje të gjitha partive politike, me theks të veçantë partisë së parë që ka dalë fituese nga zgjedhjet e fundit parlamentare, që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për konstituimin e institucioneve, sepse kjo situatë është e papranueshme për ne si kategori të dala nga lufta dhe të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave.
Në reagim theksohet se ‘Gjykata Kushtetuese, si organi më i lartë juridik në vend, ka dhënë një vendim të qartë: Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet deri më 26 korrik 2025’.
“Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ne nuk po kërkojmë privilegje. Ne nuk po kërkojmë favore politike. Ne po kërkojmë vetëm një gjë: zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nëse ky vend nuk funksionon mbi bazën e Kushtetutës, atëherë për çfarë kemi luftuar ne? Nëse institucionet nuk respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë kush tjetër duhet t’i respektojë ato para tyre? Shteti nuk mund të mbahet peng nga asnjë individ, qoftë ai edhe Kryeministër”, thuhet në reagim.
Nëse deri më 26 korrik nuk ka reflektim nga partitë politike për ta zgjidhur këtë situatë, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së kanë thënë se nuk do të qëndrojnë duarkryq.
“Kosova është ndërtuar me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të këtij populli, dhe ne nuk do ta lejojmë askënd të nëpërkëmbë këtë sakrificë”, thuhet në reagim.