Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe Ambasadori italian Marco Alberti vizituan sot patrullat shqiptaro-italiane që operojnë në Durrës, si pjesë e përforcimit të sigurisë në zonat turistike dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Patrullat synojnë rritjen e sigurisë publike, krijimin e një klime të sigurt për pushuesit italianë në Shqipëri, dhe lehtësimin e komunikimit me turistët e huaj.

Modeli i përbashkët i patrullimeve konsiderohet tashmë një traditë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Siguria është pasaporta e imazhit të vendit tonë dhe, në këtë drejtim, prania juaj në terren është një mesazh i qartë: Shqipëria është e sigurt, mikpritëse dhe e hapur.Patrullimi i përbashkët është një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një garanci konkrete për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve“, tha Proda gjatë fjalës së tij.

Ndërkaq, Ambasadori falënderoi Drejtorin dhe punonjësit e Policisë së Shtetit për punën e përbashkët, si dhe u shpreh se pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë mirëseardhje është “nder dhe privilegj”. Në Durrës, pikën simbolike të takimit ndërmjet dy shteteve, Ambasadori u shpreh gjithashtu:

“Ky bashkëpunim nuk është njëkahësh; gra dhe burra të Policisë shqiptare do të jenë së shpejti të pranishëm në Itali, pasi qëllimi ynë është të intensifikojmë shkëmbimin e aftësive dhe eksperiencave profesionale mes dy policive”, theksoi ai.

Në përfundim të vizitës, Drejtori Proda garantoi Ambasadorin se Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe përballë sfidave të përbashkëta në fushën e rendit dhe sigurisë.