Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në qeverinë serbe, është ndaluar nga Policia e Kosovës në Bërnjak dhe po dërgohet në stacion për procedura të mëtejshme. Lajmin për RTK-në e kanë konfirmuar zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

 

Sipas informacioneve, arrestimi i Popoviq ka të bëjë me një deklaratë të tij të mbajtur në Rahovec, ku ai ka përdorur gjuhë të ashpër kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë organizatë terroriste dhe duke krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.

Gjithashtu, në këtë deklaratë ai ka akuzuar institucionet ndërkombëtare për “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.

Ndërkohë më vonë, për RTKlive lajmin e konfirmoi edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se i lartpërmenduri është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak me dyshimin për nxitje të urrejtjes, dhe i njejti është duke u intervistuar në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë-Veri.

“Pas intervistimit do të vendoset se si të veprohet tutje”, theksoi Elshani.