Sonte përmbyllet festivali “Etno Fest”, i cili ka nisur edicionin e 15-të që nga data 10 korrik. Fshati Kukaj gjatë këtyre ditëve është shndërruar në një qendër arti, kulture e feste që promovon një nga ngjarjet më unike kulturore në Kosovë, që prej vitit 2011.
Bashkorganizatorja e festivalit, Sheqerije Buçaj, ka thënë për RTK-në se ky festival do të përmbyllet me ndarjen e çmimeve.
“Ka qenë një numër i madh i njerëzve nga bota, plot të huaj…Këta artistë që vijnë këtu dhe kalojnë ditë në ‘Etno Fest’ takojnë shumë njerëz, hanë ushqim të mirë dhe kanë përshtypje të jashtëzakonshme për Kosovën. Për mua kjo mjafton”, ka thënë Buçaj në “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së.
“Etno Fest” sivjet rrugëtoi me temën “Identiteti” – një udhëtim i thellë drejt rrënjëve tona, ndaj asaj që jemi dhe çfarë kemi trashëguar.
Përtej pjesës teatrale, performanca të shumta kanë gjallëruar fshatin Kukaj, si ajo e Malda Susurit, Grupit Rilindja, Jericho, Sarakasi Trust nga Kenia, një trupë akrobatësh, valltarësh dhe artistësh që sollën ritmin dhe energjinë unike të Afrikës, Florent Abrash, Vjollca Robelli.
Radio Televizioni i Kosovës ishte sërish sponsor medial i këtij edicioni dhe solli materiale televizive nga ngjarja e cila çdo vit në fshatin Kukaj për disa ditë resht bëhet epiqendër e artit dhe traditave kulturore.