Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a ka vazhduar aksionin për identifikimin dhe shkyçjen e lidhjeve ilegale të ujit në disa zona të Prishtinës.
“Sot, ekipet tona kanë vazhduar me inspektimet në terren duke identifikuar dhe shkyçur lidhje ilegale të ujit në këto zona: Bardhosh, Bërnicë, Arbëri”, thuhet në njoftim.
Kompania paralajmëron se inspektimet janë duke vazhduar edhe në Hajvali, ku është identifikuar një tjetër shembull konkret se si po rëndohet rrjeti i ujësjellësit “nga konsumatorë që përdorin lidhje jashtë ujëmatësit për ujitje”.
“Inspektimet po vazhdojnë – çdo lidhje ilegale do të identifikohet dhe shkyçet. Falënderime për punën e shkëlqyeshme të inspektorëve!”, thuhet më tej.
Kompania kujton se “të gjitha rastet e lidhjeve ilegale, si forma më e rëndë e vjedhjes së ujit do procedohen në gjykatë kompetente”.
“Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vjedhja e ujit është vepër penale dhe mund të dënohet me burg deri në 3 vjet.”
Ndërsa inspektimet në terren po vazhdojnë, KRU “Prishtina” ka përcjellë edhe një apel publik lidhur me situatën e krijuar nga lidhjet e paautorizuara në rrjetin e ujësjellësit.
“Lidhjet e paautorizuara në rrjetin e ujësjellësit po shkaktojnë telashe në disa pika, sidomos gjatë orëve të natës. Lusim konsumatorët për bashkëpunim, por lusim edhe ata konsumatorë/komentatorë që përdorin shprehje të pahijshme, që me qasje të tilla nuk ju vjen uji, uji shpërndahet barabartë kur luftohen keqpërdoruesit,” thuhet në reagimin e kompanisë.