Pas shumë mundi e djerse të fermerëve, perimet u poqën në parcelat e Rahovecit. Thatësia e bëri të veten, por edhe çmimi nuk është i volitshëm, thotë Nazmi Bellaqa nga Pataqani.

“Kam 70 ari qepë, 40 pjepër e 30 vresht, me prodhim nuk është si vitet e tjera, do me thënë, ka prodhim më pak për shkak të thatësirës, se ne nuk kemi ujë për vadë, prapë mirë është, por çmimi nuk është i mirë. Para tri jave kam dalë me pjepër, ama çmimi është i dobët, 30 cent kg”, ka thënë ai.

Mensur Gashi thotë se ka ngelur i vetëm nga familja që po merret me bujqësi, ndonëse po bën përpjekje maksimale për të dalë herët në treg, importi po ua dikton çmimin.

“Bostan kemi të mbjellur 1 ha, e 20 ari, pjepër kam 60 ari, grurë kemi afër 12 ha, kungull misri 3.5 ha, kemi edhe jonxhë. Prodhimi nuk është i keq, para tri ditë kemi nis me dal, por çmimet nuk janë të mira, sepse po vjen prej Shqipërie e tjerë”, theksoi ai.

Kungulloret dhe jo vetëm kërkojnë shumë shërbime, e Gashi thotë se subvencionet u ndihmojnë sadopak, por tregu është më i rëndësishmi.

“Subvencionet po na ndihmojnë, mos me qenë edhe ato… Një fidan e kam porosit për vit të ri të shartuar 70 cent, barnishta, shtatë herë e kam stërpik”, tregon Gashi.

“Duhet me na siguru neve tregun, jo subvencione, nuk na duhen subvencionet, tregu duhet me u siguru. Si ka hy importi, tonat kanë ra për tokë”, ka thënë Gashi.

Sipas drejtorit të Bujqësisë, Berat Duraku, këtë vit Komuna nuk u doli dot në ndihmë fermerëve të saj.

“Këtë vit fatkeqësisht nuk kemi mund t’i përkrahim, për shkak të gjendjes financiare që e ka komuna jonë, dihet botërisht se na ka godit thesari me kontratën kolektive, jo veç për neve, por në gjithë komunat e Kosovës. Sa i përket subvencioneve, që janë në bujqësi nga Ministria e Bujqësisë, ne e kemi kry procesin e aplikimit, tash janë në fazën e verifikimit, akoma nuk ka fillu ekzekutimi i subvencioneve”, ka thënë ai.

Në Rahovec, për këtë vit bujqësor sipërfaqja e mbjellë me perime ra për 200 hektarë më pak, ndërsa u rrit ajo e grurit me 600 hektarë, pasi për grurin shërbimet po i kryen teknika, e në perime duhet shumë krah pune e në vitet e fundit është shumë i mangët edhe në Rahovec.