Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se LVV ka dhënë ofertën e vet ndaj NISMA-s për konstituim të Kuvendit, teksa s’ka dhënë detaje më shumë. Ai ka thënë se do të ulen sërish të bisedojnë me Fatmir Limajn.
“Me kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limajn, kemi zhvilluar një takim pardje me ç’rast kemi diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë. VV ka shprehur jo vetëm interesimin por edhe bashkëpunimin e gatishmërinë për të bashkëqeverisur me NISMA-n dhe në përputhje me këtë kam bërë edhe ofertë konkrete në mënyrë që gjithçka të mbyllet sa më shpejtë dhe ta kemi konstituimin e Kuvendit dhe qeverinë e re”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se takimet ende nuk janë përmbyllur.
“Për hollësitë e përmbajtjes së ofertës sonë, që do të duhej të rezultonte me marrëveshje, mund të flasin vetëm atëherë kur bisedimet janë finalizuar me atë marrëveshje. Është për të ardhur keq që konstituimi i Kuvendit të Kosovës po vonon nga data 19 prill. Para kësaj date, s’mund të flasim që mund të konstituohet Kuvendi, ndonëse zgjedhjet u mbajtën me 9 shkurt”, ka thënë ai.
Në ndërkohë sot u shënua dështimi i 50-të i seancave konstituive të Kuvendit të Kosovës.