Kadri Kastrati, ish-komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një intervistë në “Info Plus”, në RTK, foli për situatën politike dhe pasojat e saj në sigurinë e vendit.
“Sot situata politike nuk është e mirë, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe mosvotimit të një qeverie funksionale. Kjo ka pasoja edhe në sigurinë e vendit”, ka deklaruar Kastrati.
Ai theksoi se shumë liderë politikë në Kosovë po bëjnë deklarata që, sipas tij, synojnë të largojnë vëmendjen e qytetarëve nga moskonstituimi i Kuvendit dhe paaftësia për të ecur përpara.
“Këto deklarata janë për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga problemi kryesor – moskonstituimi i Kuvendit dhe mosformimi i një qeverie funksionale”, ka deklaruar Kastrati.
Kastrati komentoi edhe qëndrimin e Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në qeverinë serbe, i cili ka folur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne më së paku presim që Igor Popoviqin ta lavdërojë UÇK-në, por në vend të kësaj ai ka bërë fyerje dhe ka nxitur urrejtje ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, ka theksuar Kastrati.
Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë vepruar jashtëzakonisht mirë duke e arrestuar Popoviqin, pasi ai ka hyrë në territorin e Kosovës duke keqpërdorur lejen për të mbajtur një fjalim.
“Ai më së paku duhej t’u lejohej që të fyejë qytetarët e Kosovës dhe UÇK-në, ndërsa deklaratat e tij kanë nxitë urrejtje dhe kanë fyer ata që kanë merita të mëdha për shtetin tonë”, ka deklaruar ai.
Kastrati shtoi se pret që gjykata ta dënojë Igor Popoviqin me një dënim të merituar për veprimet e tij.
Kastrati: Marrëdhëniet me SHBA-të dhe QUINT-in janë në pikën më të dobët diplomatike
Në vazhdim të intervistës për RTK, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, u shpreh i shqetësuar për gjendjen aktuale të marrëdhënieve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Marrëdhëniet tona me SHBA-të kanë një luhatje jashtëzakonisht të madhe në aspektin negativ. Aktualisht nuk kemi ambasador të SHBA-ve në Kosovë, dhe fuqia e ushtruesit të detyrës nuk është e njëjtë me atë të një ambasadori të plotfuqishëm. Kjo ka sjellë ngecje dhe mungesë të një presioni më të madh politik”, ka deklaruar Kastrati.
Ai vlerësoi se përveç Gjermanisë dhe Francës, të cilat, sipas tij, po ushtrojnë një “presion të lehtë”, shtetet e tjera të QUINT-it nuk po bëjnë asnjë përpjekje të dukshme për ta ndihmuar Kosovën në skenën ndërkombëtare.
“Sipas mendimit tim, marrëdhëniet diplomatike të Kosovës nuk kanë qenë kurrë më të dobëta se sot. Politika e jashtme në katër vitet e fundit nuk ka funksionuar siç duhet, dhe për këtë arsye jemi në këtë situatë ku presioni miqësor ndaj Kosovës është më i dobët se në të kaluarën”, ka theksuar ai.
Kastrati përmbylli deklaratën duke nënvizuar rëndësinë e rivendosjes së komunikimit të fuqishëm dhe efektiv me shtetet partnere, veçanërisht me SHBA-të dhe vendet e QUINT-it, për të dalë nga kjo krizë politike dhe diplomatike.