Zjarret, të cilat në nivel vendi ishin jo të pakta gjatë korrikut, shkaktuan dëme të konsiderueshme në bujqësi. Bujqit e dëmtuar thonë se kanë nevojë për përkrahje, dhe se është e nevojshme që shteti të krijojë një fond të veçantë për t’u dalë në ndihmë atyre. Nga Ministria e Bujqësisë dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse kanë një fond të veçantë, e as se kur pritet që të merret një vendim për kompensimin e bujqve që pësuan nga zjarret.
Që nga fillimi i muajit korrik, zjarre të shumta shkrumbuan sipërfaqe të tëra të tokës bujqësore. Fermeri Sadush Kabashi, i cili këtë vit kishte të mbjella rreth 180 hektarë me grurë, në rreth 60 hektarë nuk arriti të korrë asnjë kokërr. Nga zjarret që e bënë shkrumb e hi grurin kam pësuar dëm rreth 100 mijë euro, thotë Kabashi. Ai tutje thotë për Radio Kosovën se marrë për bazë sfidat e vazhdueshme, është domosdoshmëri krijimi i një fondi të veçantë për përkrahjen e bujqve që pësojnë dëme.
“Ne para dy vjetësh kemi pasur telashe në fermë. Kemi pasur humbjen e 190 krerë lopë për shkak të sëmundjes së brucelozës, e pastaj mezi jemi kthjellur. Besoj se ka ardhur koha që të krijohet një fond për kompensimin e bujqve, se, një i ri si do të punojë, pa pasur ndonjë siguri! Se nuk është e lehtë t’i punosh 200-300 hektarë grurë e misër, edhe m’i lënë në “dorë të Zotit”, sepse po ka dëme nga breshëri, thatësia apo edhe nga zjarret siç ishte këtë vit”, tha ai.
Disa hektarë me grurë iu dogjën edhe Malsor Sejdiut, të cilit flaka ia pushtoi rreth 100 tonelata me grurë. Edhe ky bujk nga Podujeva thotë se shteti duhet të ofrojë më shumë siguri për ata që punojnë tokat.
“Unë kam qenë në disa shtete perëndimore, por edhe shtetet fqinje që i kemi kanë siguri nëse bëhet ndonjë djegie a diçka, shteti i kompenson. E, për Kosovë mua deri këtë vit nuk më ka ndodhur kurrë”, tha ai.
Nga zjarri iu dëmtua në tërësi pemishtja me mollë thotë pemëtari nga Kovraga e Istogut, Enver Osmanaj, që iu shkaktuan dëme të mëdha.
“Për këto raste të dëmeve që po na ndodhin, si nga ngricat, breshri apo edhe zjarri, tash që jemi 25 vite pas lufte, Ministria e Bujqësisë duhet m’u përkujdes dhe të bëjë fondin e veçante për këtë punë.
Por, edhe sigurimet janë zgjidhje. E, nëse shteti vendos për sigurime, edhe bujqit do të përgjigjen, se është dëm i madh t’i pësosh 200-300 mijë euro dëm pa asnjë sigurim”, tha ai.
Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar për Radio Kosovën nëse kanë një fond të veçantë për të kompensuar bujqit e dëmtuar nga zjarret, e po ashtu, as se kur pritet të merret vendim për kompensimin e fermerëve.
Shpresë për kompensimin e bujqve nuk kanë dhënë as nga Ministria e Bujqësisë, të cilët pa u përgjigjur konkretisht, nëse kanë një fond dhe kur pritet të marrin vendim për kompensimin e bujqve, nëpërmjet një emaili kanë thënë se “ kompetencat për vlerësimin dhe menaxhimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, përfshirë zjarret, i takojnë Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.