Rreth orës 12:45, në qytetin e Prizrenit është raportuar një incident i rëndë në vendin e punës, ku një punëtor ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti.
Rastin e ka bërë të ditur për RTK-në zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Viktima, N.XH., mashkull rreth 40 vjeç nga Drenasi, ka rënë nga lartësia gjatë kryerjes së punimeve në një kulm ndërtese, duke pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku, përkundër përpjekjeve të mjekëve, ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra”, ka theksuar ai.
Ai tutje ka bërë të ditur se policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e para hetimore, duke siguruar vendin e ngjarjes dhe duke marrë dëshmi nga personat e pranishëm.
“Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit kujdestarë si dhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për veprën penale: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Si pjesë e hetimeve paraprake, janë intervistuar mbikëqyrësi i punimeve dhe investitori, të cilët janë ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë si të dyshuar”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se hetimet janë në vazhdim me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit dhe përgjegjësive ligjore.