“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, njoftoheni se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thirrur znj. Rozeta Hajdari, që të paraqitet në prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin “Rezervat shtetërore”. Znj.Hajdari është ftuar me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal. Megjithatë, znj.Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në prokurori për këtë çështje. Rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale”, ka thënë Arbnora Luta, zëdhënëse pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Vetë ministrja në detyrë, pas intervistimit nuk ka treguar se në çfarë cilësie u intervistua.

Por, ajo ka pyetur se sa është i ligjshëm procesi, meqë sipas ministres në detyrë Prokuroria Speciale hyri në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë për të marrë dokumentet e klasifikuara, sipas saj,  si sekret të rezervës shtetërore.

“Bëhet fjalë për kontraktimin e rezervës shtetërore të mallrave një proces shumë jetik, proces i ndjeshëm. Siç e dini Ministria Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë ka blerë rezervën shtetërore nuk kohën kur ishim të pambrojtur në shkurt e mars të vitit 2022,  dhe për këtë proces jetik për të gjithë ne, unë tani pyetem nga Prokuroria Speciale. Por një pyetje vjen,  a është ky proces i ligjshëm dhe si Prokuroria Speciale hyri në Ministrinë Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë për të marr dokumentet e klasifikuara si sekret të rezervës shtetërore”, tha Hajdari pasi doli nga Prokuroria Speciale.

Sipas saj, asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën e klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të AKI-së e Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

“Ne si ministri e kemi klasifikuar lëndën sekret sipas Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore, por Prokuroria Speciale bëri një gabim ose një hap të pamenduar mirë, duke dërguar dy policë hetues pa certifikatën e sigurisë dhe duke marrë dokumentet brenda një ore në ministri. Këtë e ka konstatuar edhe Inspektorati Policor në raportin informues se dy policët hetues shkuan në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë pa certifikatë sigurie të nivelit sekret”, tha tutje Hajdari.

Ministrja në detyrë ka thënë se ky raport nga IPK-ja u dërgua edhe në Prokurorinë Speciale për udhëzime të mëtejme, për veprim të mëtejme, sipas saj, ndaj këtyre dy policëve.

“Por, në realitet, vetë prokurori Valdet Gashi që po merret  me këtë lëndë ka liruar nga përgjegjësia këta dy policë  dhe vetë prokurori po shkelë ligjin. Dhe për më shumë mua më vjen keq, më vjen turp  të them se për këtë proces asnjëherë nuk është raportuar drejt, pra për rezervën shtetërore të klasifikuara si sekret. Më vjen turp edhe për veprimet e prokurorit Valdet Gashi dhe për Prokurorinë Speciale për shkeljen e ligjit”, tha tutje ajo.

Hajdari ka treguar se si ministri kanë iniciuar hetim tek Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

“Për të iniciuar një hetim dhe për të ardhur në konstatim të kësaj shkelje të këtij konflikti interesi, sepse e kemi dokumentuar  me raportin e Inspektoratit Policor dhe me email, ku prokurori Valdet Gashi pranon konfliktin e interesit për të shqyrtuar këtë raport të IPK-së dhe për më keq Prokuroria Speciale, vetë i njëjti prokuror mbyllë rastin, mbyllë lëndën e raportit informues të IPK-së. Unë e di që pas këtij hetimi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ne do të përballemi në gjykatë”, deklaroi Hajdari pas intervistimit.

 

Ministrja Hajdari përfundon intervistimin në Prokurori

(Plotësuar, 11:50) Ka përfunduar intervistimi i ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në Prokurorinë Speciale.

Ajo nuk është përgjigjur për mediat në cfarë cilësie u intervistua, por ka folur mbi procesin.

Ministrja në detyrë Rozeta Hajdari po intervistohet në Prokurorinë Speciale

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është duke u intervistuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Hajdari është paraqitur në objektin e Prokurorisë Speciale në orën 10:00. Raportohet se intervistimi lidhet me rastin e rezervave shtetërore që është duke u hetuar nga kjo Prokurori.

Ministrja Hajdari ishte intervistuar për këtë rast në prill të vitit 2024 në cilësinë e të pandehurës, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Lidhur me këtë rast, gjatë ditës pritet të intervistohet edhe ish-sekretari i MINT, Irfan Lipovica.