Në zbatim të planit ‘Siguria në trafik’, me fokus të veçantë te motoçikletat dhe prishja e rendit dhe qetësisë publike, drejtoria e policisë së kryeqytetit, në kuadër të zbatimit të këtij plani, nga 9 deri më 27 korrik të këtij viti ka sekuestruar 73 motoçikleta, për mungesë të dokumentacionit të nevojshëm, skadim të afatit të regjistrimit dhe pa kategori përkatëse. Sipas ekspertit të komunikacionit, Muhamed Krasniqi, ndër format më të mira për të vendosur rend dhe rregull janë fushatat vetëdijesuese.

“Unë mendoj se duhet gjetur forma për t’u vendosur një rend dhe një rregull, thjesht për hir të sigurisë në rrugë për të gjithë pjesëmarrësit. Por, nuk është forma më e mirë, sekuestrimi i motoçikletave dhe dënimi i këtyre shoferëve. Sidomos me ardhjen e verës dhe ngritjen e temperaturave kur motorristët i kemi në rrugë ka nevojë për fushata promovuese, në mënyrë që këta të vetëdijësohen”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, Krasniqi thotë se të gjithë pjesëmarrësit, janë të barabartë në trafik dhe se duhet të respektojnë kodin rrugor e dispozitat ligjore.

“Të gjithë pjesëmarrësit janë të barabartë dhe të gjithë duhet t’i respektojnë kodin rrugor dhe dhe respektimin e dispozitave ligjore. Jo gjithmonë kanë njohuri të mjaftueshme të këtij kodi rrugor, prandaj bëjnë rrezik në trafikun rrugor”, shtoi ai.

Evidencat e policisë vënë në pah se janë shqiptuar po ashtu 358 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave. Ndërkohë, Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, e veçanërisht te ngasësit e motoçikletave, t’i respektojnë rregullat e komunikacionit.