RTKlive
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali e quajti ngjarjen “të papranueshme” dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë kërkon një angazhim të vazhdueshëm.
Spiropali theksoi se gjuha e urrejtjes, e cila nxit dhunën dhe racizmin, nuk duhet të ketë vend në asnjë hapësirë publike, e sidomos në sport. Ajo shtoi se sporti, në thelb të tij, promovon frymën e bashkimit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.
Kryeparlamentarja vlerësoi reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi një reagim edhe më të fortë nga zyrtarët më të lartë të vendit.
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë. Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit. Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.”, thekson Spiropali.
Thirrje për bashkëjetesë dhe vizion evropian
Spiropali theksoi se bashkëjetesa ndëretnike është një vlerë e përbashkët në rrugën evropiane, e cila duhet ruajtur me përgjegjësi.
Ajo bëri thirrje që sjellja korrekte, si në fusha dhe tribuna, ashtu edhe në institucione, të shërbejë si shembull për vizionin e përbashkët për të ardhmen.
“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën evropiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje.”, shkruan Spiropali.
Në fund të reagimit të saj, ajo rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të promovuar një bashkëjetesë model dhe për t’u larguar nga ndarjet e vjetra.
Thirrje raciste në ndeshjen Maqedoni e Veriut–Rumani
Një incident i rëndë me thirrje raciste ndaj shqiptarëve ndodhi mbrëmë (2 gusht) në Sallën e Sporteve në Kumanovë, gjatë ndeshjes kualifikuese të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Thirrjet, të cilat dyshohet se janë bërë nga tifo grupi “Kumani”, përfshinin fraza si: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri Maqedoni nuk do të zhduket. Maqedoni, e pastër”.
Thirrjet u dëgjuan në prani të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin Ivan Stoillkoviq, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski dhe kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Sipas rregulloreve sportive, në raste të tilla, tifozët duhet të paralajmërohen dhe gjyqtari duhet të konsiderojë anulimin e ndeshjes. Megjithatë, duket se gjyqtarët e ndeshjes – Georgios Poursanidis (Greqi), Yeren Yilmaz (Turqi) dhe Ventsislav Velikov (Bullgari) – nuk ishin në dijeni të përmbajtjes së thirrjeve.
E gjithë skena është transmetuar drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) në YouTube. Ky incident ka ngjallur shqetësime të mëdha për tolerancën dhe sjelljen në eventet sportive.