Kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë kur do të skadojë masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e cila ua ndalon deputetëve që të ndërmarrin çfarëdo veprimi drejt konstituimit të Kuvendit.
Njohës të Kushtetutës thonë se interpretimi i ardhshëm i gjykatës do t’i hapë rrugë daljes nga ngërçi politik. Nuk përjashtohet mundësia që një partie tjetër t’i jepet e drejta e propozimit të kryeparlamentarit e as shkuarja në zgjedhje.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD nuk ka përjashtuar mundësinë që masa e parakohshme e vendosur nga gjykata të zgjatet edhe pas 8 gushtit.
“Në rastet e kaluara kur ka vendosur masë të përkohshme ajo ka vendosur edhe zgjatjen e asaj mase për arsye se nuk kanë arritur ta trajtojnë lëndën në përpikmëri dhe komentet e të tjerëve me afat të parashikuar”, tha ai.
Ndërsa profesori i së drejtës kushtetuese, Zahir Çerkini thotë se nuk pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë për shkuarjen në zgjedhje.
“Krejt në fakt çfarë është ndëgju në opinion dhe që mendoj që nuk do të mund ta bëjë Gjykata Kushtetuese është shkuarja në zgjedhje, nuk mund të shpërndaj Kuvendin, nuk mund të ketë zgjedhje pa konstituimin e Kuvendit”, tha Çerkini.
Situata e krijuar me moskonstituimin e Kuvendit ka përplasur ish-kryetarin dhe ish-nënkryetarin e Gjykatës Kushtetuese.
Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Kushtetueses akuzoi publikisht ish-kryetarin e saj, Enver Hasanin, se vendi ndodhet në një situatë të paprecedentë juridike për shkak të aktgjykimeve të tij.
Ndërsa Hasani ka ironizuar me këtë deklaratë, teksa ka thënë se do t’i përgjigjet vetëm nëse Kryeziu do të jetë në gjendje ta riprodhojë gojarisht atë që ka shkruar.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seancat për konstituimin e Kuvendit të ndërpriten deri më 8 gusht. Presidentja Vjosa Osmani, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike i ishin drejtuar gjykatës për t’i sqaruar çështjet kushtetuese që lidhen me konstituimin e Kuvendit, pas dështimeve të vazhdueshme