Komisioni Evropian ka konfirmuar aprovimin e katër projekteve të asistencës teknike për investime të ardhshme në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes.
Bëhet fjalë për njërin nga dy hapat që ishin paralajmëruar në kuadër të heqjes graduale të masave të Bashkimit Evropian, të vendosura në qershor të vitit 2023.
Përveç asistencës teknike, BE ka rifilluar në fillim të korrikut takimet në kuadër të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Zyrtarët evropianë rikujtojnë se këto dy hapa të parë janë pjesë e vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili në dhjetor të vitit të kaluar shprehu gatishmërinë për të nisur procesin e heqjes graduale të masave – proces ky që do të zhvillohet paralelisht me hapa të mëtejshëm nga ana e Kosovës për uljen e tensioneve në veri të vendit.
“Hapat e ardhshëm varen nga progresi në terren në raport me pritjet tona dhe janë të kushtëzuar nga ulja e qëndrueshme e tensioneve në veri,” ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Kosova tashmë ka hyrë në vitin e tretë të zbatimit të masave të Bashkimit Evropian. Ato ishin vendosur me rekomandimin e shefit të atëhershëm të diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Për vendosjen e masave nuk ishin ndjekur procedurat e zakonshme të sanksioneve. Edhe pse Borrell, në qershor të vitit 2024, në të njëjtën mënyrë rekomandoi heqjen e masave, ato ende mbeten në fuqi, pasi për heqjen e tyre kërkohet pajtimi i të gjitha shteteve anëtare.