Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se më 29.07.2025, në Ferizaj, e pandehura me paraqitje të rreme të fakteve dhe me qëllim përfitimin e dobisë pasurore për vete, i ka shkaktuar dëm material të dëmtuarit J.Sh.

“ Kjo është bërë në atë mënyrë që paraprakisht ajo kishte parë në rrjetin social “Facebook” një veturë të markës “VW Tiguan” të publikuar për shitje, dhe më pas kishte arritur marrëveshje për blerjen e saj në vlerë prej 35,000 euro në zyrën noteriale. Sipas marrëveshjes, D.S.-A. duhej të paguante 10,000 euro deri më 31.07.2025 përmes transferit bankar, dhe shumën tjetër prej 25,000 euro deri më 10.09.2025”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, pas vetëm dy ditësh, më 30.07.2025, e dyshuara kontaktoi pronarin e auto-sallonit “V…” dhe i ofroi për shitje të njëjtën veturë me çmim prej 24,000 eurosh. Më 01.08.2025, ajo realizoi marrëveshje noteriale për shitje me këtë auto-sallon, ku pranonte 15,000 euro në para të gatshme dhe 9,000 euro përmes transferit bankar nga banka “BKT”.

Sipas Prokurorisë,  me këtë veprim, e dyshuara i shkaktoi të dëmtuarit dëm material në shumën prej 35,000 eurosh, duke kryer kështu veprën penale “Mashtrim” nga neni 323 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Vetura e përfshirë në këtë rast është sekuestruar nga Njësia e Hetimeve në Ferizaj për qëllime hetimore, ndërsa  e dyshuara që nga data 5 gusht 2025 gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit.