Nga Rasim Smajlaj
Dikur kisha shkruar: “Ku ishim dje, ku jemi sot dhe ku presim të jemi nesër.” Një reflektim që sot më duket si një parandjenjë. Si një thirrje që nuk u dëgjua. Dhe sot, kur Kosova ndodhet në një nga periudhat më të paqarta dhe më të zymta të zhvillimit të saj shtetëror, pyetja më e natyrshme që lind është: Kujt i konvenon kjo gjendje? Albin Kurtit? Kryeministri i vendit, që erdhi me premtimin për ndryshim rrënjësor, për kthimin e dinjitetit në institucionet tona dhe ndërtimin e një shteti të drejtë, sot shihet nga shumë qytetarë si simbol i përçarjes, arrogancës dhe rrënimit institucional. Nuk ka mbetur gjë pa u cenuar: kushtetuta, flamuri, himni, ushtria, policia, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, biznesi vendor – të gjitha të lëna pas dore ose të goditura me vendime të pamenduara. Ky është bilanci që përditë ndjen qytetari i thjeshtë, sidomos ai që përpiqet të mbijetojë në një ekonomi pa stabilitet dhe në një shtet që duket më shumë si një arenë eksperimentale politike, sesa si një projekt serioz për të ardhmen. Presidentes? Zonja presidente, që deri dje betohej “në kokën e Albinit”, sot qëndron në një pozicion të paqartë. Deklaratat e saj janë ose të vakëta, ose në kontrast me qëndrimet e mëparshme. Qytetarët nuk dinë më çfarë përfaqëson kjo figurë: unitetin institucional apo vazhdimin e një aleance që tashmë është shndërruar në pazar politik? Roli i saj është zbehur në një kohë kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një figurë që bashkon dhe përfaqëson me dinjitet. Apo ndoshta opozitës? Në kushte normale, kjo do të ishte një kohë e artë për opozitën. Por fatkeqësisht, opozita nuk ekziston në formën që kërkon një demokraci e shëndetshme. Kemi më shumë akuza se ide, më shumë kalkulime politike se alternativa reale. Qytetarët janë të zhgënjyer – jo vetëm nga qeverisja, por edhe nga mungesa e një opozite që flet me seriozitet dhe vepron me përgjegjësi. Pra, kujt i shërben kjo krizë? Të jemi të sinqertë: armikëve tanë historikë kjo gjendje u shkon më së miri. Ata e duan një Kosovë të dobët, të përçarë, të papërfaqësuar dhe të zhytur në krizë politike e institucionale. Një vend që nuk arrin dot të funksionojë si shtet, është më i lehtë për t’u sfiduar në planin ndërkombëtar dhe më i ndjeshëm ndaj presioneve nga jashtë. Miqtë tanë ndërkombëtarë? Ata nuk gëzohen kur na shohin kështu. Përkundrazi – lodhen, distancohen, humbin durimin. Mbështetja ndërkombëtare nuk është e përjetshme dhe nuk është pa kushte. Ajo fitohet e ruhet përmes seriozitetit, konsistencës dhe partneritetit të sinqertë – jo përmes kokëfortësisë dhe konfliktualitetit me të gjithë. A ka kush përgjegjësi? Sot, në vitin 2025, Kosova nuk ka luksin të qëndrojë në këtë mjegull. Duhet të ketë llogari, përgjegjësi, vizion. Sepse përndryshe, e nesërmja nuk do të jetë më një shpresë, por një dënim që e kemi ndërtuar vetë – me heshtjen tonë, me mosveprimin tonë, dhe me tolerimin e një klase politike që ka humbur kontaktin me realitetin.
P.S. Ky opinion nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë së Kosova Times.