Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese se po vepron bazuar në interesa partiake, pas publikimit të vendimit se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet në mënyrë të hapur.
“Në vitin 2025, kësaj radhe në disa akte, Gjykata Kushtetuese përsëri bëri kthesë edhe për pikën e dytë, ku tash e thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesi është Lëvizja Vetëvendosje. Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, ka shkruar ai në facebook.
Murati ka marrë shembull nga, sipas tij, vendimi i Kushtetueses së vitit 2014, të cilën e quajti vegël për ta mbajtur PDK-në në pushtet.
“Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve, pra PDK-në. Nëse nuk ishte PDK-ja në Qeveri, vendi duhej të shkonte në zgjedhje. Pozita e Kryetarit të Kuvendit i takonte fituesit të zgjedhjeve, pra PDK-së, dhe deputetët s’kishin rrugë tjetër pos ta realizonin këtë, qoftë me votim të hapur, të fshehur, apo çfarëdo forme tjetër. Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese bëri kthesë dhe e ndryshoi pikën 1, kur i dha të drejtë Presidentit asokohe që të mandatonte një qeveri pa fituesin brenda, sepse fituesi ishte Lëvizja Vetëvendosje”, vazhdon shkrimi.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.
Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.