Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, nga të cilat 14 vijojnë të jenë aktive dhe po ndiqen në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

 

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 efektivë zjarrfikës, të cilët po punojnë në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura aktive.

Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 183 trupa, të pajisura me 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë, të aktivizuar në zonat më të vështira dhe me terren malor.

Në mbështetje të operacioneve ajrore, janë përfshirë edhe 2 avionë “Canadair” të vënë në dispozicion nga Kroacia dhe Italia, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për menaxhimin e emergjencave civile.

Strukturat përgjegjëse mbeten të angazhuara në terren dhe vijojnë punën intensive për vënien nën kontroll të plotë të situatës, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe mbrojtjen e mjedisit.