Sipas saj, për vite me radhë opozita ka përdorur instrumente kushtetuese për të zvarritur ndryshimet thelbësore në këtë sektor. Ajo përmendi si shembuj komentet e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese kundër amendamenteve për vetingun, kontestimin e dyfishtë të reformës në Këshillin Prokurorial dhe sfidimin e Ligjit për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar.

Haxhiu tha se, në vend të kontributit konstruktiv, opozita ka ndjekur një qasje obstruksioniste, me qëllim të zvarritjes së proceseve.

“Po, edhe ne kemi kontestuar çështje në Kushtetuese kur ishim në opozitë, por vetëm ato që dëmtonin interesin e vendit si: Gjykata Speciale, Zajednica, Ligji për Amnisti të kriminelëve serbë, Demarkacioni me Malin e Zi”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social Facebook.

Ajo u shpreh se pavarësisht pengesave, reformat kanë shënuar progres konkret.

“Vetingu ka marrë dritën e gjelbër, reforma në Këshillin Prokurorial është jetësuar, Byroja për konfiskimin e pasurisë është në fazë përfundimtare të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Pavarësisht vonesave dhe përpjekjeve për ta ndalur këtë proces, rruga drejt forcimit të shtetit të së drejtës është e pandalshme”, konsideron ministrja në detyrë e Drejtësisë.