Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj E.B., i dyshuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 10 gusht 2025, rreth orës 20:30, në lagjen “Tusuz” të Prizrenit. Pas një mosmarrëveshjeje paraprake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., i dyshuari E.B. dyshohet se e ka goditur atë me thikë, pasi fillimisht kishin nxitur qentë e tyre në një përleshje. Viktima është dërguar në QKUK në Prishtinë, ku ka ndërruar jetë nga plagët e marra.
Përveç akuzës për vrasje të rëndë, E.B. ngarkohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armës. Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.