Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se rastet tronditëse të pesë vrasjeve të rënda në 48 orët e fundit, pas një serie tjetër të vrasjeve që ndodhën nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Tahiri, në një konferencë për media, theksoi se Kosova po kalon nëpër një gjendje alarmante të sigurisë, ku po mbretërojnë bandat kriminale, që sipas tij, janë të inkurajuara dhe mbrojtura nga pushteti.
“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhitë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese. Partia Demokratike e Kosovës ju shpreh ngushëllime më të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga këto vrasje. Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësimin e madh, për dështimin e organeve ligjzbatuese për të vendosur rend, rregull dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve tanë”, tha ai.
Tahiri tutje ka akuzuar eksponentë të partisë në pushtet për lidhje me bandat kriminale.
“15 gusht 2023 – Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, arrestohet në Shqipëri për trafikim dhe shitje të narkotikëve. U kap me 11,300 tableta ekstazi MDMA, peshë mbi 5 kilogramë, vlerë rreth 400 mijë euro. 3 qershor 2025 – Një operacion i gjerë antidrogë çon në arrestimin e 22 personave. Mes tyre, Shemsi Bahtiri, anëtar aktiv i Vetëvendosjes në Qendrën e Prishtinës, një nga figurat kyçe të një rrjeti të trafikut të drogës ku u sekuestruan qindra mijëra euro para të gatshme e të falsifikuara, armë, llogari bankare, automjete luksoze dhe lëndë narkotike. 10 gusht 2025 – Gjilani tronditet nga një vrasje e trefishtë. Autori, Mefail Shkodra, i njohur për veprat e shumta penale, shihet i pranishëm në ahengjet e partisë në pushtet”, ka theksuar tutje deputeti i PDK-së.
Sipas Tahirit “vetëm një qeveri e re, e vendosur, mund ta ç’kapë shtetin nga krimi, t’i çojë para drejtësisë të gjithë ata që kanë gjak në duar e pasuri nga droga dhe korrupsioni, dhe do ta rikthejë rendin, sigurinë dhe ligjin mbi të gjithë”.
“Duhet të jetë misioni i secilit prej nesh, çkapja e shtetit nga bandat kriminale që sot po terrorizojnë shoqërinë tonë. Rritja e numrit të armëve pa leje në duart e qytetarëve tanë, është e frikshme. Sot, aktualisht kemi rreth 250 mijë armë janë pa leje në vendin tonë. Si PDK, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojmë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdorë armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim”, përfundoi Tahiri.