Në reagimin e tij, Kryeziu thekson se RTK-ja është institucion i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, i cili ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për sigurimin e financimit adekuat për këtë medium publik.

Sipas tij, mungesa e konstituimit të Kuvendit, për shkak të mungesës së votave nga partitë opozitare, ka pamundësuar marrjen e vendimeve të nevojshme për alokimin e mjeteve financiare për RTK-në.

“Për të transferuar në llogari bankare mjetet që janë të ndara për RTK-në, siç po bën thirrje AGK, duhet vendim nga Komisioni Parlamentar për Buxhet i Kuvendit, siç parasheh neni 11, paragrafi 11 i Ligjit për Ndarjet Buxhetore. Pa një vendim të këtij komisioni, nuk është i mundur transferimi i mjeteve”, thuhet në reagim.

Andaj, sipas tij, “është absurde që zgjidhja për situatën në RTK të kërkohet përmes rrugëve dhe mënyrave joligjore, e edhe më shumë absurde është që kjo mënyrë e të vepruarit t’i kërkohet Qeverisë”.

Reagimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga AGK-ja për situatën financiare të RTK-së dhe vonesat në pagesën e pagave për punonjësit.

AGK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë që të alokojë menjëherë buxhetin e nevojshëm për transmetuesin publik. Sipas AGK-së, rreth 700 punëtorë ende nuk kanë marrë pagat për muajin korrik.