Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të autoblindave të prokuruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Sot isha i nderuar që së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe atasheun e Ushtrisë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw, morëm pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të autoblindave të prokuruara në ShBA për FSK-në,” shkroi Kurti.
Ai theksoi se ky furnizim është një dëshmi e marrëdhënieve të forta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
“Ky furnizim i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur me ShBA-të dhe gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”, potencoi ai.
Kurti tha se zhvillimi i ushtrisë së Kosovës do të vazhdojë në bashkëpunim të ngushtë me aleatin strategjik amerikan.
“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së ShBA-ve”, shkroi kryeministri në detyrë.