Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka kërkuar vendosjen e kufizimeve mbi vizitat jo-të privilegjuara të ish-presidentit Hashim Thaçi në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas prokurorisë, këto masa janë të nevojshme për të parandaluar përpjekjet e mundshme të Thaçit për siç thuhet, për të penguar procedurat gjyqësore në çështjen e tij dhe në “Rastin 6”.

RTK mëson se, prokuroria ka identifikuar një grup vizitorësh, përfshirë tre vëllezërit e tij, Nazmi, Gani dhe Blerim Thaçi, të cilëve po kërkon t’u ndalohet takimi me Thaçin gjatë paraburgimit.

Ndonëse kërkesa për ndalim të vizitave ndaj Thaçit është publikuar në ueb faqen e Gjykatës Speciale, dosja dhe lista e vizitorëve janë klasifikuar dhe do të publikohet vetëm pas vendimit të gjykatës. “Këto masa janë të domosdoshme për të garantuar se procedurat gjyqësore nuk do të ndikohen nga faktorë të jashtëm. Siguria e dëshmitarëve dhe respektimi i rregullave të paraburgimit janë prioritet absolut”.

Nga ana tjetër, mbrojtja e ish presidentit, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj kërkesës së prokurorisë.

Avokatja mbrojtëse, Sophie Menegon, në kërkesën e prokurorisë nuk ka gjetur shkelje që klienti i saj mund t’i ketë bërë ndryshe, nga masat që iu vendosën atij në nëntor të vitit 2023.

“Klienti ynë ka të drejtë të vizitohet nga familjarët dhe kjo është e rregulluar sipas protokolleve të paraburgimit. Kërkesa e prokurorisë është e tepruar dhe mund të ndikojë negativisht mbi shëndetin psikologjik të ish-presidentit”.

Reagime ka pasur edhe nga avokatët në Kosovë, të akredituar nga Gjykata Speciale. Njëri nga ta Taulant Hodaj tha se prokuroria në Hagë ka tejkaluar kërkesat për këtë rast.

“Tani do të vendosë trupi gjykues nëse eventualisht. Nuk besoj sepse nuk ka baze sepse edhe për këtë rast ku është dhënë ai vendim për këto kufizime veçse ka rast penal, ka aktakuzë tani për atë rast, dhe ka shkua përtej”, tha Hodaj.

Gjykata e Hagës pritet të marrë një vendim, duke përcaktuar nëse vizitat do të vazhdojnë pa ndryshime apo do të vendosen kufizime të reja.