Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme në gjithë vendin janë regjistruar gjithsej 57 vatra zjarri, prej të cilave 11 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 46 të tjera janë lokalizuar.
Sipas raportit, menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilat janë angazhuar në terren për shuarjen e flakëve.
AME u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo rast në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.
Institucioni ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e zjarrfikësve, mbështetjen e Policisë së Kosovës si dhe bashkëpunimin e qytetarëve.