Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka bërë thirrje publike për prindërit dhe familjet që të marrin një rol aktiv në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë.
“Dhuna mes bashkëmoshatarëve po shfaqet gjithnjë e më hapur dhe po normalizohet si sjellje. Ky është një alarm serioz që kërkon veprim të menjëhershëm nga familjet, institucionet dhe e gjithë shoqëria, por mbi të gjitha nga familja,” thuhet në komunikatën për media të KOMF.
KOMF apelon që prindërit të flasin rregullisht dhe hapur me fëmijët për dukurinë e dhunës, format e saj dhe pasojat negative që ajo sjell në jetën dhe shëndetin mendor të fëmijëve. “Të promovojnë dhe edukojnë tek fëmijët e tyre mënyra konstruktive dhe paqësore për të zgjidhur konfliktet,” thekson më tej komunikata.
Sipas KOMF, edukimi për respekt, tolerancë dhe mirëkuptim duhet të fillojë në familje dhe të forcohet çdo ditë.
Organizata thekson se prindërit duhet të:
“Ndajnë kohë për biseda të hapura dhe të ndershme me fëmijët mbi dhunën dhe pasojat e saj.”
“Promovojnë dhe modelojnë tek fëmijët sjellje paqësore në marrëdhënie me të tjerët.”
“Monitorojnë dhe orientojnë përmbajtjet që fëmijët shohin dhe ndajnë, sidomos në rrjetet sociale.”
“Përkujdesen dhe monitorojnë mënyrën se si fëmijët e kalojnë kohën kur prindërit nuk janë të pranishëm.”
“Kërkojnë bashkëpunim të ngushtë me shkollën për të mbështetur fëmijën.”
“Kërkojnë mbështetje profesionale kur fëmijët tregojnë shenja të stresit, ankthit ose sjelljeve agresive.”
“Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt dhe mbrojtës,” thekson KOMF. “Prindërit apo kujdestarët ligjorë janë linja e parë e mbrojtjes dhe ndikimit pozitiv në jetën e fëmijëve të tyre.”
Duke përmbyllur komunikatën, KOMF u bën thirrje të gjithë prindërve: “Duke folur me fëmijët, duke i dëgjuar ata dhe duke edukuar modele konstruktive e tolerante të sjelljes, ne të gjithë kontribuojmë në parandalimin e dhunës dhe në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt për fëmijët tanë.”