“Përmes këtij vendimi, Gjykata ka sqaruar kufijtë kushtetues të seancës konstituive dhe ka konstatuar se veprimet e ndërmarra dhe seancat e mbajtura pas 26 qershorit ishin në kundërshtim me aktgjykimin e mëparshëm KO124/25. Po ashtu, është konstatuar se Kryesuesi i seancës, në ushtrimin e kompetencave të tij, ka tejkaluar mandatin kushtetues, duke ndryshuar rendin e ditës dhe shtyrë përpara veprime që bien ndesh me detyrimet e përcaktuara qartë nga Gjykata. Me këtë vendim, është rikthyer qartësia kushtetuese mbi rolin dhe përgjegjësitë e të gjitha palëve në këtë fazë të ndjeshme politike”, thekson KDI.

KDI i bën thirrje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë sa më parë vazhdimin e seancës konstituive dhe të përmbushë detyrimet që rrjedhin prej aktgjykimit, duke ftuar grupin më të madh parlamentar që të propozojë kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit, si dhe të procedojë me votimin e hapur. Kjo përbën një detyrim të qartë, që nuk lë vend për interpretime politike apo zvarritje të mëtutjeshme procedurale.

“Gjithashtu, u bëjmë thirrje subjekteve parlamentare dhe të gjithë deputetëve që të veprojnë në përputhje me mandatin e tyre dhe me përgjegjësinë e tyre kushtetuese për të siguruar funksionalitetin e Kuvendit, si një institucion thelbësor i rendit demokratik në vend”, thekson kjo organizatë.

Sipas KDI-së, Kuvendi duhet të rikthehet në funksion pa vonesa të mëtejme. Procesi i konstituimit nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike apo përpjekjeve për interpretim të situatës përtej konturave që tashmë janë qartësuar nga Gjykata.