Deputeti finlandez i Partisë Socialdemokrate, Eemeli Peltonen, 30 vjeç, është gjetur i vdekur të martën në mëngjes në ndërtesën kryesore të parlamentit në Helsinki. Sipas mediave lokale, besohet se ai ka kryer vetëvrasje.
Tytti Tuppurainen, kryetare e grupit parlamentar socialdemokrat, tha se Peltonen ishte një “anëtar shumë i dashur i komunitetit dhe do na mungojë thellë. Një jetë e re ka përfunduar shumë herët”.
Megjithëse parlamenti ishte në pushim veror, Kryeministri Petteri Orpo vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve zyrtare për pjesën tjetër të ditës dhe mbajti një minutë heshtje në nder të Peltonen. Kryetari i parlamentit, Jussi Halla-aho, e përshkroi Peltonen si një “kolegu të pëlqyer dhe të respektuar në të gjitha partitë”.
Policia u thirr në ndërtesën e parlamentit në orën 11:06 (08:06 GMT) dhe njoftoi se nuk dyshohet për ndonjë veprim kriminal. Vdekja e tij u konfirmua rreth tre orë më vonë në një deklaratë parlamentare, duke theksuar se komuniteti ndante “pikëllimin e të afërmve të tij”.
Peltonen përfaqësonte rajonin jugor të Uusimaa-s dhe ishte në mandat të tij të parë si deputet, pas zgjedhjes në vitin 2023. Karriera politike e tij nisi herët; ai u zgjodh këshilltar i qytetit të Järvenpää-s në moshën 18 vjeçare dhe më pas, në moshën 22 vjeç, u bë kryetar i bordit të qytetit, duke u bërë personi më i ri që mbante këtë pozicion.
Së fundi, Peltonen kishte njoftuar për mungesën e tij në punët parlamentare për shkak të një problemi me veshkat që kishte çuar në infeksion, duke u fokusuar në rikuperimin e shëndetit të tij, shkruan BBC.